Nxitja e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit ndëretnik në një kontekst të radikalizimit etno-politik në rritje ka qenë sfidues, por raste të bashkëpunimit dhe interesat e përbashkëta po dalin në pah, duke ofruar një fije shprese për përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë.
Një forcë katalizuese për bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve shqiptare dhe serbe në Kosovë është njohja e shqetësimeve të përbashkëta. Raste të tilla si protestat e përbashkëta kundër një hidrocentrali dhe ndotjes së lumit Lepenc nënvizojnë se kur interesat e të dy komuniteteve përputhen, mund të ndërmerren veprime pozitive për të mirën e të gjithëve. Çështjet mjedisore, duket se i tejkalojnë ndarjet etnike, duke theksuar se në rrezik është mirëqenia e të gjithë banorëve. Një shembull veçanërisht ilustrues i bashkëpunimit autentik ndëretnik u shpalos gjatë pandemisë COVID-19. Të ballafaquar me një kërcënim të përbashkët, Kosova dhe Serbia lanë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe demonstruan një nivel të lavdërueshëm bashkëpunimi. Kjo përfshinte liberalizimin e barrierave administrative për transportin e mallrave, shërbimeve dhe njerëzve, shkëmbimin e ndihmës mjekësore dhe koordinimin ndërmjet zyrtarëve të sektorit shëndetësor. Kjo periudhë e shkurtër bashkëpunimi tregoi potencialin dhe përfitimet që mund të arrihen kur riorganizohen prioritetet.
Pavarësisht mosmarrëveshjeve intensive politike që ndikojnë në marrëdhëniet ndëretnike, dinamikat shoqërore e kanë pranuar ndërvarësinë e përbashkët, duke çuar në raste të suksesshme bashkëpunimi. Iniciativat si Forumet e Komunitetit për Interesat Publike (CFPI) nën iniciativën Nxitja e Pajtimit dhe Bashkëpunimit Ndëretnik (FIERC), me mbështetjen e qeverisë gjermane, ilustron potencialin për bashkëpunim. Këto forume ofrojnë një platformë për komunitetin shqiptar dhe serb për t’u angazhuar në dialog dhe për të adresuar së bashku shqetësimet komunitare, si siguria rrugore dhe parkimi i biçikletave, duke promovuar sigurinë njerëzore.
Sektori qytetar në Kosovë ka qenë gjithashtu i rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit ndëretnik. Programi i Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve (RCT), i mbështetur nga USAID-i, luan një rol vendimtar në zhvillimin e besimit ndërmjet komuniteteve duke lehtësuar angazhimin më të thellë me kontekstin kulturor dhe social të Kosovës. Qendra Barabar, e menaxhuar nga dy OJQ të Kosovës (Integra dhe CASA) me mbështetjen e UNMIK-ut, simbolizon shpresën për dialogun ndërkomuntarë, dhe ofron një hapësirë të sigurt për shoqërinë civile dhe komunitetet për ngjarje dhe diskutime, duke u fokusuar në shqetësimet e ndërsjella.
Përpjekjet e institucioneve arsimore, si Universiteti i Prishtinës dhe Kolegji Ndërkombëtar i Biznesit në Mitrovicë, po kontribuojnë në promovimin e shumëgjuhësisë brenda shoqërisë kosovare. Këto iniciativa, si prezantimi i një Programi Bachelor në Studime Ballkanike në Universitetin e Prishtinës, kanë potencial të madh për transformimin pozitiv të marrëdhënieve ndëretnike përmes arsimit.
Përderisa normalizimi politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vendimtar për institucionalizimin e bashkëpunimit pozitiv, ai nuk duhet të pengojë përpjekjet bazë që tashmë bëjnë ndryshim. Ndjekja e normalizimit politik duhet parë si një moment historik i domosdoshëm, por jo si një justifikim për mosveprim ose një pengesë për përparimin në bashkëpunim dhe dialog në nivel komuniteti. Organizatat e shoqërisë civile (OSHC) luajnë një rol jetik në ndërtimin e qëndrueshmërisë së komunitetit kundër radikalizimit etno-politik dhe ekstremizmit politik.
Këta shembuj pozitivë tregojnë se veprimet kolektive mund të adresojnë shqetësimet e përbashkëta dhe të çojnë në përmirësime të prekshme. Ndërsa Kosova përballet me sfidat e saj, nxitja e këtyre rasteve të bashkëpunimit është thelbësore për ndërtimin e urave drejt një shoqërie më të integruar. Duke nxitur dialogë dhe iniciativa që i kapërcejnë kufijtë etnikë, shoqëria civile mund të kapërcejë boshllëqet e lëna nga mosmarrëveshjet politike.