Degradimi i mjedisit dhe sfidat e ndryshimeve klimatike mbeten një çështje serioze për autoritetet e Kosovës ndërsa “cilësia e ajrit vazhdon të përbëjë një kërcënim të madh për shëndetin”, gjeti Komisioni Evropian në Raportin e tyre të Kosovës për vitin 2020. Për të rritur ndjeshëm ambiciet drejt një tranzicioni të gjelbër, Kosova ka nevojë për vullnet politik dhe presion publik. Kjo e fundit është në rritje sipas UNDP Public Pulse Brief XX, por vetëdija e publikut për të drejtën për të jetuar në një mjedis të shëndetshëm dhe kërcënimet e mundshme mjedisore është ende nën 50%, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetet pakicë (nën 35%).
Sidoqoftë, në rajonin e Mitrovicës, ruajtja e mjedisit kërkon një lloj tjetër të vullnetit politik – vullnetin për të vendosur bashkëpunim ndëretnik dhe institucional midis komunave fqinje, veçanërisht atyre me grupe të ndryshme etnike në shumicë.
Duke e pasur këtë në mendje, ekipi i Pajtimit dhe Transformimit të Konflikteve (RCT) organizoi një punëtori me anëtarët e Rrethit të Kohezionit nga shtatë komuna të rajonit të Mitrovicës për të diskutuar planet për shënimin e Ditës së Tokës – si ta bëjmë atë, cilin mesazh të dërgojmë, dhe kë të angazhojm.
“Ajri që thithim nuk njeh etni. Të gjitha komunitetet kanë nevojë për ajër të pastër, dhe ne të gjithë duhet të bëjmë ndryshimin kolektiv, dhe kjo nismë është një fillim i mirë ”, tha një nga antarët e grupit, Fehmi Ferati.
Deklarata e tij e fuqishme bëri jehonë mes pjesëmarrësve të tjerë të cilët ranë dakord se veprimi i quajtur “Ruaje planetin” duhej të pasqyronte një mesazh unanim – se ne duhet të veprojmë, dhe ne mund të bëjmë shumë për planetin!
Një aktiviste e re Jovana Jaćimović gjithashtu reflektoi mbi rëndësinë e edukimit të të rinjve.
“Të rinjtë duhet të ndërgjegjësohen përmes punëtorive se ka alternativa për produktet që janë në përdorim të përditshëm dhe që shkaktojnë më pak ndotje – të përdorim qanta në vend të qeseve plastike, shishe të rimbushshme, etj.”
Një tjetër vajzë e re me pasion për të bërë një ndryshim, Nora Prekazi, deklaroi se komunitetet kanë nevojë për ngjarje, platforma për të ndarë mesazhet paqësore dhe për të menduar për pasojat e jetesës në zonat e ndotura.
“Një gjë e thjeshtë si një koncert në rrugë do t’i tërhiqte njerëzit të ndaleshin dhe të flisnin me ne për të bërë një ndryshim”.
Ide tjera që duan angazhim afatgjatë u dhanë edhe nga një aktiviste tjetër dhe anëtare e Rrethit të Kohezionit, Mevlude Skuroshi. Ajo ndau shqetësimet për seriozitetin e “ndryshimeve mjedisore që ndodhin ndërsa flasim” dhe parashtroi idenë e krijimit të një hapësire për serrat dhe prodhimin e farërave dhe llojeve të ndryshme të produkteve që mund të shpërndahen në komunitetet lokale dhe më vonë të mbillen.
“Kjo do të ketë një efekt katalitik dhe do të kontribuojë që të kemi komunitete të qëndrueshme”, beson ajo.
Pavarësisht nga idetë individuale se çfarë duhet bërë, anëtarët e Rrethit të Kohezionit ranë dakord që institucionet luajnë rol të rëndësishëm në adresimin e çështjeve mjedisore dhe duhet të mbahen përgjegjëse. Për të njëjtën arsye, pjesëmarrësit e gjetën të rëndësishme të përfshinin përfaqësues të qeverisjes vendore në zbatimin e aksionit për të shënuar Ditën e Tokës.
Java e aktivizmit do të fillojë më 19 prill 2021 dhe do të zgjasë për një javë. Ftesa për të gjithë qytetarët që të bashkohen me ne është e hapur!
Sigurohuni që të na ndiqni dhe qëndroni në kontakt me përditësimet mbi aktivitetet tona.
Ky aktivitet zbatohet nga CBM në partneritet me YIHR KS dhe NSI. Pajtimi dhe Transformimi i Konflikteve mbështetet nga populli amerikan përmes USAID -it në Kosovë.